Kush ka të drejtë të martohet në Gjermani
Në Gjermani të gjithë njerëzit kanë drejtë të zgjedhin lirisht, po qe se ata martohen, me kë do të martohen dhe kur duan të martohen. Kjo vlen edhe për çifte homoseksualë.
Nga mosha 18 vjeç lejohet të martoheni pa miratimin e prindërve.
Kushte të tjera për martesën në Gjermani
Një martesë duhet të lidhet para një zyre të gjendjes civile. Nëse partnerja/partneri nuk vjen nga Gjermania, atëherë në zyrën e gjendjes civile zhvillohet para kësaj një bisedë konsultimi.
Një çift mund të martohet edhe me një ceremoni fetare, për shembull nga një priftëreshë/prift ose një imam. Por pas një ceremonie të tillë ende nuk quhesh në Gjermani i martuar zyrtarisht.
Përjashtime
Një martesë nuk është e mundur, nëse:
- Ju ose partnerja juaj/partneri juaj jeni tashmë të martuar me një person tjetër. Në Gjermani është e lejuar martesa në të njëjtën kohë vetëm me një person.
- Ju ose partnerja juaj/partneri juaj u detyruat për një martesë.
- Ju ose partnerja juaj/partneri juaj doni të martoheni vetëm për faktin, që ju ose partnerja juaj/partneri juaj të lejoheni të qëndroni në Gjermani.
- Ju ose partnerja juaj/partneri juaj keni lidhje të ngushta farefisnore. Një martesë ndërmjet të afërmve të ngushtë është për shembull, kur motrat dhe vëllezërit martohen me motrat dhe vëllezërit e tyre, kur prindërit martohen me fëmijët e tyre ose gjyshërit dhe gjyshet martohen me mbesat apo nipërit e tyre.
Të drejta dhe detyrime të reja
Nga martesa rezultojnë për të dy bashkëshortët të drejta dhe detyrime të reja. Për shembull:
- Në një martesë të dy partneret/partnerët janë të detyruar që të përkrahin dhe të përkujdesen për njëri-tjetrin.
- Nëse partnerja juaj/partneri juaj vdes, atëherë ju keni të drejtë që të merrni një pjesë të pasurisë dhe/ose të të hollave. Nëse partnerja juaj/partneri juaj ka vdekur dhe ju keni pyetje, pyesni tek një vend këshillimi për ndihmë.
- Në Gjermani bashkëshortët mund të kenë një sigurim të përbashkët shëndetësor. Kjo është e mundur, nëse një nga të dy partneret/partnerët nuk punon ose fiton shumë pak të holla. Në rast se ju keni nevojë për më shumë informacione, pyesni tek një vend këshillimi për ndihmë.
- Në rast së bashkëshortja juaj/bashkëshorti juaj jeton jashtë shtetit, ky person ka të drejtë që të vijë tek ju në Gjermani dhe të jetojë këtu së bashku më ju. Kjo është e mundur vetëm nëse ju vetë keni të drejtë të qëndroni në Gjermani përgjithmonë dhe nëse ju keni të holla të mjaftueshme, për tu përkujdesur për partneren/partnerin tuaj. Bashkëshortja/bashkëshorti, i cili do të vijë në Gjermani, duhet të tregojë, që ajo/ai flet pak gjermanisht. Atëherë bashkëshortes suaj/bashkëshortit tuaj i jepet leja e qëndrimit për në Gjermani dhe ka të drejtë edhe të punojë këtu në Gjermani. Kjo vlen edhe për çifte lesbike dhe gay në një partneritet të jetës.
- Edhe pas martesës mjeket/mjekët nuk lejohet t´i japin informacione personale rreth jush ose shëndetit tuaj bashkëshortes suaj/bashkëshortit tuaj, nëse ju nuk e doni këtë.
Një martesë, e cila është lidhur jashtë shtetit dhe është e vlefshme në atë vend, është e vlefshme edhe në Gjermani.
Vetëm çifti vendos
Ndonjëherë vendosin persona të tjerë, me kë duhet të martoheni ju. Kjo gjë në Gjermani nuk është e zakonshme. Por kjo gjë nuk është e ndaluar më ligj, në rast së të dy partneret/partnerët e dëshirojnë këtë martesë.
Një martesë kundër dëshirës suaj ose kundër dëshirës së partneres suaj/partnerit tuaj është e ndaluar në Gjermani. Edhe tentativa e detyrimit të personave për të lidhur martesë, është e ndaluar. Po ashtu nuk lejohet, që ju ose partnerja juaj/partneri juaj te çoheni jashtë shtetit, më qëllim që të detyroheni për të lidhur një martesë. Në rast se ju do të detyroheni ose jeni detyruar të lidhni martesë, atëherë drejtohuni një vendi këshillimi.
Njerëz, të cilët detyrojnë të tjerët për të lidhur një martesë, dënohen. Në rast se ju jetoni tashmë në një martesë të tillë, partnerja juaj/partneri juaj nuk do të dënohen dhe martesa juaj mbetet e vlefshme. Por ju dhe/ose partnerja juaj/partneri juaj mund ta përfundoni këtë martesë. Në rast se ju dhe/ose partnerja juaj/partneri juaj dëshironi ta përfundoni këtë martesë, pyesni tek një vend këshillimi për ndihmë.
Bashkëjetesa, pa u martuar
Një marrëdhënie para martesës dhe një marrëdhënie dashurie me një partnere/një partner tjetër gjatë martesës, nuk është e ndaluar në Gjermani dhe askush nuk dënohet më ligj për këtë veprim.
Ndonjëherë ky veprim nuk pranohet në familje dhe disa anëtarë të familjes duan që t´i dënojnë këto vajza të reja ose djem të rinj me dhunë fizikë ose madje me vdekje. Nëse besoni, se edhe ju ndodheni në një situatë të tillë të rrezikshme, atëherë shkoni tek një vend këshillimi ose direkt në polici.