Vështirësi për të mbetur shtatzënë
Tek disa çifte shtatzënia funksionon shumë shpejt, disa të tjerë duhet të përpiqen për një kohë të gjatë. Është krejtësisht normale që mund të zgjasë deri në një vit, derisa një grua të mbetet shtatzënë.
Më pak pjellore?
Nëse zgjat më shumë, kjo mund të jetë për shkak të fertilitetit të burrit ose të gruas. Ndoshta nuk ka mjaftueshëm qeliza spermatozoide (spermatozoidë) në spermën e burrit. Ose gruaja nuk ovulon në çdo cikël. Fertiliteti zvogëlohet me kalimin e moshës. Gratë janë më pak pjellore nga mesi i të 30-tave dhe meshkujt nga mesi i të 40-tave. Ka shumë arsye për një fertilitet më të ulët të çiftit.
Flisni për këtë me mjeken ose mjekun tuaj. Gruaja mund të kontrollohet nga një gjinekologe ose një gjinekolog. Burri mund të shkojë më mirë tek një urolog ose urologe. Çiftet mund të kontrollohen dhe këshillohen edhe së bashku në një klinikë fertiliteti.
Trajtoni infertilitetin
Nëse dëshira për të pasur fëmijë mbetet e paplotësuar, gratë dhe burrat duhet të kontrollohen nga një mjeke specialiste ose mjek specialist, që mund të jetë një gjinekologe, një gjinekolog, nje urologe ose një urolog. Ai ose ajo mund të zbulojë shkakun e infertilitetit. Vetëm atëherë do të jetë e qartë se cila metodë mund të përdoret më mirë për trajtimin e infertilitetit.