Kontracepsioni emergjent

Gjatë kontracepsionit mund të ndodhin gabime. Ndonjëherë harrojmë të përdorim kontracepsionin. Në këtë rast emergjence, “pilula e emergjencës” ose “spiralja e emergjencës” mund të jetë një opsion për të shmangur shtatzëninë e padëshiruar.

„Pilula e emergjencës“

„Pilula e emergjencës“ është një tabletë hormonale, e cila merret një herë. Ajo mund të vonojë ovulimin (ovulacion) dhe në këtë mënyrë të parandalojë fekondimin e vezës. Për këtë qëllim ajo duhet të merret pas kryerjes së marrëdhënieve seksuale të pambrojtura ose pas një dështimi kontraceptiv, idealisht në të njëjtën ditë ose të nesërmen.

„Pilula e emergjencës“ mund të blihet në farmaci pa recetë. Aty ofrohen edhe konsultime. Natën dhe gjatë fundjavës mund të shkoni në shërbimin e urgjencës së farmacisë ose në klinikën ambulatore të spitalit më të afërt.

Pilula kontraceptive e urgjencës

Informacione të tjera të rëndësishme

  • „Pilula e emergjencës“ duhet të merret sa më shpejt që të jetë e mundur pas marrëdhënies seksuale të pambrojtur, mundësisht brenda 12 orëve. Sa më shumë kohë të kalojë, aq më i madh është rreziku që të ndodhë shtatzënia. Pesë ditë pas marrëdhënies seksuale të pambrojtur, është tepër vonë për “pilulën e emergjencës”.
  • Nëse menstruacionet (gjakderdhja menstruale) ndodhin afërsisht në ditën e pritshme dhe me intensitet normal, kjo është një shenjë që nuk jeni shtatzënë. Nëse nuk jeni të sigurt, është më mirë të bëni një test shtatzënie.
  • Nëse tashmë jeni shtatzënë, “pilula e emergjencës” nuk do ta ndërpresë këtë shtatzëni. Nuk mendohet se “pilula e emergjencës” mund të shkaktojë ndonjë dëmtim të embrionit.
  • Disa medikamente mund të kufizojnë efektin e “pilulës së emergjencës”. Nëse merrni rregullisht medikamente ose i keni marrë ato së fundmi, konsultohuni në lidhje me këtë në farmaci ose me një mjeke ose mjek.
  • Në rast mbipeshe të tepruar, “pilula e emergjencës” mund të mos funksionojë mirë.
  • Tek disa gra shkaktohen dhimbje koke, të përziera dhe dhimbje barku nga “pilula e emergjencës”. Mund të ndodhin edhe gjakderdhje ndërmenstruale, ndjeshmëri të gjirit dhe të vjella. Disa gra ndjejnë marrje mendsh ose trullosje pas marrjes së saj, dhe si pasojë e kësaj ato nuk duhet të ngasin makinën.

Kostot „Pilula e emergjencës“

„Pilula e emergjencës“ kushton nga 16 deri në 30 euro (ose pak më shumë).

Për gratë me sigurim shëndetësor ligjor, kostot e “pilulës së emergjencës” mbulohen deri në ditëlindjen e tyre të 22-të, nëse ato kanë marrë një recetë nga mjeku, para blerjes së saj.

Në disa qytete, kostot e kontraceptivëve mbulohen nëse një grua ka pak para. Ju mund të kontrolloni databazën, për të parë nëse kostot e kontraceptivëve mbulohen në qytetin tuaj. Për këtë, përdorni filtrin e kërkimit “Mbulimi i kostove".

„Spiralja e emergjencës“

Spiralja e emergjencës“ është një spirale bakri, e cila vendoset në mitër. Atë ju mund ta përdorni si “kontracepsion emergjent” nëse kanë kaluar pak më shumë se pesë ditë nga dështimi i kontraceptivëve dhe që në këto momente dëshironi të përdorni spiralen e bakrit si mënyrë kontracepsioni.

Nëse, pas dështimit të kontraceptivëve, fekondimi tashmë ka ndodhur, spiralja mund të parandalojë implantimin e kësaj veze të fekonduar në mitër. Sapo veza të jetë implantuar, ju jeni shtatzënë dhe më pas është tepër vonë për “spiralen e emergjencës”.

„Spiralja e emergjencës“ mund të vendoset vetëm nga një mjeke ose mjek. Në çdo rast, do të kontrollohet paraprakisht nëse jeni tashmë shtatzënë.

Pajisje IUD prej bakri

Kostot „Spiralja e emergjencës“

Spiralja e emergjencës“ kushton në varësi të modelit, nga 120 deri në 300 euro. Çmimi mbulon konsultimin, kontrollin dhe vendosjen e spirales. Krahas kësaj, kontrolli i rregullt mjekësor i rekomanduar kushton 20 deri në 50 euro.

Nëse vajzat e reja janë të siguruara tek një agjensi e sigurimit shëndetësor ligjor, kostot e spirales mund të mbulohen plotësisht ose pjesërisht deri në ditëlindjen e tyre të 22-të. Pyesni në lidhje me këtë mjeken ose mjekun tuaj.

Në disa qytete, kostot e kontraceptivëve mbulohen nëse një grua ka pak para. Ju mund të kontrolloni databazën, për të parë nëse kostot e kontraceptivëve mbulohen në qytetin tuaj. Për këtë, përdorni filtrin e kërkimit "Mbulimi i kostove".

Përkthejeni këtë tekst në
Mbyll

Fjalori dhe përkthimet

Keni nevojë për ndihmë? Gjeni një profesionist të shëndetësisë.

Ndihma